Promovimi i të drejtave të Privatësisë në Kosovë

  • by

Përparimi i jashtëzakonshëm ne teknologjinë e telekomunikimit dhe informatikë ka pasur një ndikim të madh ne botë; jeta pa telefon mobil ose lidhje interneti duket e paimagjinueshme sot edhe pse shumë pak nga ne kishim qasje ne to para 20 viteve. Por kjo në anën tjetër ka ndryshuar tërësisht mënyrën se si të dhënat personale dhe private mblidhen, ruhen dhe transmetohen, duke i ekspozuar ato në masë të madhe ndaj abuzimeve. Ligjet pra, janë një instrument i pazëvendësueshëm për mbrojtën e privatësisë dhe sigurinë e të dhënave personale. Kuvendi i Kosovës ka aprovuar Ligjin mbi Mbrojtjen e të Dhënave Personale (LMDhP) me 29 prill 2010 ndërsa agjencia shtetërore për mbikëqyrje dhe asistim ne zbatimin e atij ligji është themeluar pas një viti.

Ky projekt ka pasur për qëllim të rishikon legjislacionin më të rëndësishëm në lidhje me mbrojtjen e privatësisë që është ne fuqi në Kosovë, ta krahasojë atë me kontekstin Evropian dhe të identifikojë pengesat eventuale në zbatim të tij. Duhet të theksohet sidoqoftë, se çështja e privatësisë është komplekse dhe shtrihet përtej perspektivës ligjore, në dimensione shoqërore, kulturore dhe politike. LMDhP është parë në vete të ofrojë nivel adekuat të mbrojtjes dhe mbulon një sferë të gjerë te sfidave të mbrojtjes së të dhënave, pa i lënë anash cenimet e privatësisë siç është videombikëqyrja. Ca përmirësime janë të nevojshme, posaçërisht në trajtimin e sektorit privat dhe atij publik në mënyre të njëjtë dhe në barazimin e gjobave me shkallën e shkeljeve si dhe me zbatimin e marrjes së fitimeve shtesë nga ato shkelje. Përderisa janë vërejtur mangësi në tri pjesët tjera të legjislacionit të ndërlidhur: në Ligjin për Telekomunikime, në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurave Penale, ka nevojë për një rregullim të ofruesve të internetit, medieve në internet dhe të tregtimit elektronik, një ligj që do të ishte ekuivalent i Telemedia ligjit në Gjermani.

Sido që te jetë, mund të thuhet se në përgjithësi ekziston një infrastrukturë ligjore solide në fuqi, e cila me disa përmirësime të nevojshme do të ofronte mbrojtje të mjaftueshme të privatësisë dhe të të dhënave personale. Zbatimi i këtij legjislacioni në anën tjetër, do të ballafaqohej me një serë të vështirësive, disa me rëndësi më të madhe se tjerat. Mos-informimi dhe mosdija e theksuar tek ata që trajtojnë shënimet si dhe tek ata që u trajtohen shënimet është pengesa më e madhe praktike në zbatimin e legjislacionit mbi mbrojtjen e të dhënave. Në këto kushte, mundësia e trajtimit të shënimeve me pajtim të subjektit ngrit probleme të mëdha. Konkretisht, LMDhP lejon sikurse legjislacioni i BE-së trajtimin e çfarëdo të dhënave përderisa merret pajtimi nga subjekti, por duke pasur parasysh mungesën alarmante të vetëdijes, kjo mundësi paraqitet jashtëzakonisht problematike.

 

Shkarko Raportin Promovimi i të drejtave të Privatësisë në Kosovë