Këshilli Gjyqësor i Kosovës

  • by

Me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, si dhe të Ligjit për Gjykatat, u  vunë themelet e një strukture të re organizative të gjyqësorit, si dhe, u vendosën premisat mbi të cilat ndërtohet një gjyqësor i pavarur i cili administrohet nga vetë profesionistët e gjyqësorit. Çështjet e emërimit dhe riemërimit të gjyqtarëve, vlerësimi i performancës së tyre, trajnimet gjyqësore, avancimi në detyrë, etika profesionale, disiplinimi, administrimi gjyqësor dhe menaxhmenti, buxheti i gjyqësorit, të gjitha këto janë kritere bazë që garantojnë pavarësinë e gjyqësorit në proces të rregullimit  ose vetëm kanë gjetur vend  në  dispozitat ligjore nën mbikëqyrjen e Këshillit. Përmes këtyre instrumenteve kushtetuese dhe ligjore, pozita e gjyqësorit është fuqizuar, është vënë në vendin e merituar, në të njëjtin nivel me dy pushtetet tjera.

Kompetencat e Këshillit janë të parapara me Kushtetutë dhe Ligjin për Këshillin, në bazë të të cilave Këshilli ka rolin fundamental për sigurimin e pavarësisë dhe paanësisë së sistemit gjyqësor. Në këtë kuadër, funksionet e Këshillit përfshijnë procedurat për rekrutim, emërim, riemërim, transferim, disiplinë, vlerësim, ngritje në detyrë dhe trajnim të gjyqtarëve dhe gjyqtarëve porotë; në menaxhim dhe administrim e gjykatave, si dhe në zhvillimin dhe mbikëqyrjen e buxhetit të gjyqësorit.

Duke u bazuar në Kushtetutë, mandati i anëtarëve të Këshillit është mandat pesë vjeçar (5). Këshilli sipas Kushtetutës i ka gjithsej 13 anëtarë:  tetë (8) anëtarë zgjedhën nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, ndërsa pesë (5) anëtarë zgjedhen drejtpërdrejtë nga gjyqësori.

Këshilli punën e vet e organizon edhe përmes Komisioneve të përhershme apo të përkohshme.

Në kuadër të Këshillit është Sekretariati që ndihmon Këshillin në zbatimin e rregullave dhe politikave të Këshillit lidhur me menaxhimin, buxhetin dhe administrimin e gjykatave. Në kuadër të Këshillit veprojnë edhe Njësia për Shqyrtimin e Performancës Gjyqësore (NjShPGj) dhe Zyra e Prokurorit Disiplinor (ZPD).

 

http://www.gjyqesori-rks.org/sq/kjc/