Kodi i Procedurës Penale

Kodi i Procedurës Penale të Kosovës i cili gjithashtu ka hyrë në fuqi në Janar të vitit 2013[1] parasheh privatësinë si koncept në Nenin 19, par. 1.11[2]. Ky përcaktim është me shumë rëndësi sepse përcakton saktë bazën se kur mund të lejohet ndërhyrja e qeverisë në privatësinë e një personi. Më tej, tek seksioni i marrjes së informatave, tek Neni 84 që parasheh masat e marra para fillimit të procedurës  penale, në par. 5 përcaktohet shprehimisht:

Nëse masat e fshehta apo teknike të vëzhgimit apo hetimit janë autorizuar në pajtim me paragrafin 1. të këtij neni prokurori i shtetit ndërmerr masa të arsyeshme për ruajtjen e privatësisë së personave që nuk janë të përfshirë në vepër penale.

Tutje, tek analizat psikologjike përcaktohet se personi i cili është vlerësuar mund të kundërshtojë thirrjen para gjyqtarit të procedurës paraprake nëse ka shqetësime të privatësisë që nuk tejkalojnë rëndësinë e procedurës penale[3].

Mirëpo, përvec në formë direkte – KPP edhe në mënyrë indirekte dhe shumë të tërthortë merret me privatësinë. P.sh. në nenin 22 par. 1, pikën 64 – KPP përcakton si krim të rëndë cenimin e fshehtësisë së votimit. Më pas, ky Kod përcakton se Gjykata ka të drejtë të mbaj të dhënat edhe pa pëlqimin e palës përkatëse – porse nuk guxon t’i nxjerrë ato dhe duhet të mbrojë fshehtësinë e këtyre të dhënave[4].

KPP gjithashtu përcakton se policia, prokurori i shtetit dhe organet tjera publike detyrohen të procedojnë me kujdes në mbledhjen ose në sigurimin e të dhënave, duke pasur kujdes që të mos cenohet dinjiteti dhe reputacioni i personit të cilit i referohen të dhënat e tilla[5].

Ndërkaq është e natyrshme të përcaktohet e drejta e hetimit të fshehtë – njësoj sikur përcaktohet në kodet e tjera të vendeve në sistemin kontinental. Porse sidoqoftë hetimi i fshehtë i përcaktuar në nenin 88 ka edhe rregulla brenda të cilit funksionon. P.sh. është neni 96 që përcakton se të dhënat personale të marra me anë të masës e cila nuk është më e nevojshme për qëllimin e ndjekjes penale ose të një rishqyrtimi nga gjykata e masës fshihen pa ndonjë vonesë. Fakti i shtyrjes duhet të dokumentohet. Përderisa fshirja e të dhënave është shlyer thjesht për qëllimet e rishikimit të masës nga ana e gjykatës, shënimet nuk do të përdoren për qëllime të tjera pa pëlqimin e personit në fjalë; qasja në të dhëna duhet të kufizohet në mënyrën e duhur. Më tej prokurori shtetëror duhet ta njoftojë me përpikëri me shkrim me anë të postës me rekomande çdo person të ndonjë urdhri, se ai ose ajo ka qenë subjekt i atij urdhri dhe se ka të drejtë të parashtrojë padi në gjykatën kompetente brenda gjashtë (6) muajve nga data e njoftimit[6].

Megjithatë, sa i përket pranueshmërisë së provave të marra përmes këtyre mënyrave – KPP përcakton se prova e cila është marrë nga monitorimi i fshehtë i bisedave në vende private, kontrollimi i dërgesave postare, përgjimi i telekomunikimeve, përgjimi i komunikimeve nëpërmjet rrjetit kompjuterik, dërgimi i kontrolluar i dërgesave postare, shfrytëzim i mjeteve për përcjellje të vendndodhjes, simulimi i blerjes së ndonjë sendi, simulimi i një vepre të korrupsionit ose hetimi i fshehtë lejohen vetëm në procedurë penale lidhur me veprën penale të përcaktuar në nenin 88, paragrafi 3. i KPP. Ndërkaq par. 3 i Nenit 88 përcakton dy skenare:

  1. informacioni i cili mund të merrej nga masat e urdhëruara me gjasë do të ndihmonte në hetimin e veprës penale dhe nuk do të kishte mundësi të merrej me veprime të tjera hetimore pa shkaktuar vështirësi të paarsyeshme ose rrezik potencial për të tjerët.
  2. ekziston dyshim i bazuar se vendi apo sendi i tillë përdoret për kryerje të veprës penale ose personi i tillë ka kryer, apo në rastin kur tentimi ndëshkohet, ka tentuar të kryejë vepër penale nga neni 90 i KPP.

Neni 90 ndërkaq përcakton mëse 100 vepra penale të cilat mund të gjenden këtu: http://www.kpk-rks.org/assets/cms/uploads/files/Kodi_i_procedures_penale.pdf

Personat që i janë nënshtruar urdhrit për hetim të fshehtë kanë të drejtë në ankesë dhe këtë e bëjne para Panelit për Shqyrtimin e vëzhgimit dhe hetimit. Kur me rastin e vendosjes mbi ankesën, ky Panel konstaton se masa është e kundërligjshme ose urdhri për masën e tillë është i kundërligjshëm, mund të vendos që ose të pushojë urdhrin nëse ende është në fuqi ose të urdhërojë asgjësimin e materialeve të mbledhura ose të kompensojë personin ose personat që i janë nënshtruar urdhrit. Që do të thotë se ligjërsisht personave u është lënë mundësia për kompenzim.

Sa i përket lirisë së shprehjes dhe mediave – Kodi i Procedurës Penale natyrisht përcakton dispozita të vecanta. Ky Kod njeh mediat si institucion që mund të drejtojë informacione tek prokurori i shtetit – përmes të cilave ky i fundit mund të nisë hetimin[7].

Kodi i Procedurës Penale përcakton edhe një pjesë me shumë rëndësi që ka të bëjë me lirinë e shprehjes dhe mediave dhe reputacionin e personave të arrestuar por të cilët më pas shpallen të pafajshëm. Për këtë cështje – Kodi parasheh që kur rasti i dënimit të paarsyeshëm ose i arrestimit të pabazë të ndonjë personi është paraqitur në mjetet publike të informimit dhe me këtë është cenuar reputacioni i personit, gjykata, me kërkesën e tij, shpall njoftimin në gazetë ose në mjetin tjetër të informimit publik për vendimin nga i cili shihet qartë se dënimi ishte i paarsyeshëm ose arrestimi i pabazë. Kur rasti nuk është paraqitur në mjetet e informimit publik, me kërkesën e personit, njoftimi i tillë i dërgohet punëdhënësit të tij. Pas vdekjes së personit të dënuar, e drejta për paraqitjen e kësaj kërkese i takon bashkëshortit të tij apo bashkëshortit jashtëmartesor, fëmijëve, prindërve, vëllezërve dhe motrave të tij.

Marrë në konsideratë gjithë sa u tha më sipër, është qëndrimi ynë që Kodi i Procedurës Penale ofron siguri dhe mbrojtje të mjaftueshme për të dyja – privatësinë dhe lirinë e shprehjes dhe mediave në Kosovë.

Siç është argumentuar edhe shumë herë më përpara – është qëndrim i përgjithshëm që problemi nuk qëndron me kornizën legjislative – por me implementimin e saj në praktikë. Problemet në lidhje me implementimin kanë të bëjnë me numrin e madh të lëndëve, kapacitetet e ulëta për adresim të tyre, mostrajnimi i duhur i kuadrove dhe çështja e privatësisë dhe lirisë së shprehjes e mediave si dukuri të reja pas periudhës së komunizmit nën regjimin ish-jugosllav.

Organet kryesore: Për sqarim më të duhur dhe duke qenë se Prokuroria dhe Gjykata janë adresat  më e rëndësishme në lidhje me këto dy kode – duhet sqaruar si funksionojnë dhe si ndahen këto të fundit. Sistemi i gjykatave i Republikës së Kosovës përbëhet nga: Gjykatat Themelore, Gjykata e Apelit dhe 
Gjykata Supreme. 
Degët themelohen brenda territorit të një Gjykate Themelore, dhe me qëllim të veprimeve më efikase të gjykatës përkatëse, brenda Gjykatës së Apelit dhe Gjykatave 
Themelore mund të themelohen Departamente dhe Divizione.

Duke qenë se interesi jonë në lidhje me rastet e privatësisë dhe lirisë së shprehjes – ka nismën në Gjykata Themelore – duhet sqaruar se këto të fundit janë gjykata të shkallës së parë në territorin e Republikës së Kosovës. 
 Shtatë (7) Gjykata Themelore themelohen si në vijim:

  1. Gjykata Themelore e Prishtinës me seli në Prishtinë themelohet për territorin e Komunës së 
Prishtinës, Fushë Kosovës, Obiliqit, Lipjanit, Podujevës, Gllogovcit dhe të Graçanicës;
  2. Gjykata Themelore e Gjilanit me seli në Gjilan themelohet për territorin e Komunës së 
Gjilanit, Kamenices, Novobërdës, Ranillugut. Parteshit, Vitisë, Kllokotit dhe Vërbocit;
  3. Gjykata Themelore e Prizrenit me seli në Prizren themelohet për territorin e Komunës së 
Prizrenit, Dragashit, Suharekës dhe Mamushës;
  4. Gjykata Themelore në Gjakovë me seli në Gjakovë themelohet për territorin e Komunës së 
Gjakovës, Malishevës, dhe Rahovecit;
  5. Gjykata Themelore e Pejës me seli në Pejë themelohet për territorin e Komunës së Pejës, 
Deçanit, Junikut, Istogut dhe Klinës;
  6. Gjykata Themelore e Ferizajit me seli në Ferizaj themelohet për territorin e Komunës së 
Ferizajit, Kaçanikut, Shtimes, Shtërpcës dhe Hanit të Elezit;
  7. Gjykata Themelore e Mitrovicës me seli në Mitrovicë themelohet për territorin e Komunës së 
Mitrovicës Jug dhe Mitrovicës Veri, Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit, Skenderajit dhe 
Vushtrrisë.

Ndërkaq sa i përket Prokurorisë së Shtetit – duhet sqaruar se cka nënkuptohet me këtë term. Prokurori i Shtetit nënkupton institucionin e pavarur kompetent dhe përgjegjës për ndjekjen 
e personave të akuzuar për kryerjen e veprave penale dhe veprave të tjera siç ceken me ligj dhe 
përfshinë si në vijim: prokuroritë themelore, Prokurorinë e Apelit, Prokurorinë Speciale, Zyrën e 
Kryeprokurorit të Shtetit, dhe cilado njësi tjetër organizative që mund të krijohet për të ushtruar 
funksione prokuroriale.

Prokurori i Shtetit në Republikën e Kosovës organizohet dhe funksionon në përputhje me ligjin për Prokurorin e Shtetit dhe   organizohet në prokuroritë si në vijim:

  1. Prokuroria Themelore e përbërë nga Departamenti i Përgjithshëm, nga Departamenti për të 
Mitur dhe nga Departamenti për Krime të Rënda.
  2. Prokuroria e Apelit e përbërë nga Departamenti i Përgjithshëm dhe Departamenti për Krime 
të Rënda i Prokurorisë;
  3. Prokuroria Speciale; dhe
  4. Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit

Lëndët që në lidhje me privatësinë dhe lirinë e shprehjes bien nën kompetencën e Prokurorisë Themelore – në rast nevoje dhe si të tilla Prokuroritë Themelore janë të ndara dhe funksionojnë njësoj sikur Gjykatat (sic u shpjegua më lartë).

Shkurtimisht:

  1. Organet kryesore ku qytetari duhet të drejtohet në lidhje me këto dy Kode – janë Prokuroria Themelore dhe Gjykata Themelore (varësisht nga qyteti)
  2. Kodi Penal përcakton vetëm llojet e veprave penale – duke përfshirë kështu edhe shkeljen e privatësisë si një prej tyre
  3. Kodi i Procedurës Penale përcakton procedurën se si bëhet ndjekja e këtyre veprave penale
  4. Shpifja dhe fyerja nuk janë vepra penale

[1] http://www.kpk-rks.org/assets/cms/uploads/files/Kodi_i_procedures_penale.pdf

[2] 1.11. Gjasa reale – baza për urdhër për kontroll ose për të justifikuar ndërhyrjen e qeverisë në privatësinë e ndonjë personi. Posedimi i provave të pranueshme që do të bindte një vëzhgues objektiv që një vepër penale ka ndodhur, po ndodh ose ka mundësi të konsiderueshme që do të ndodhë dhe se personi në fjalë ka gjasë të konsiderueshme të ketë kryer veprën penale.

[3] Ibid

[4] Neni 67

[5] Neni 83

[6] Neni 96

[7] Neni 6 – KPP

Shkarko këu Kodin i Procedurës Penale