Ligji për qasje në dokumente publike

Ligji nr. 03/L-215 për qasje në dokumente publike ka hyrë në fuqi më 10 dhjetor 2010 dhe përmban dispozita ligjore nëpërmjet të cilave rregullohet “e drejta e secilit person fizik dhe juridik, pa diskriminim mbi çfarëdo baze, për të pasur qasje, pas kërkesës, në dokumentet e mbajtura, hartuara apo pranuara nga institucionet publike”.[1]

Ky ligj shfuqizon Ligjin nr. 2003/12 për qasje në dokumente zyrtare; Udhëzimin administrativ nr. 3/2006 për zbatimin e ligjit për qasje në dokumente zyrtare; Udhëzimin Administrativ nr. 05/2006 për organizimin dhe funksionimin e Zyrave për pranimin e ankesave dhe kërkesave – Tryeza e Komunikimit me qytetarë. Udhëzimin Administrativ nr. 07/2008-MSHP për forcimin e transparencës dhe standardizimit të faqeve të internetit në Institucionet e Republikës së Kosovës, dhe çdo dispozitë të legjislacionit që bie në kundërshtim me këtë ligj që ka të bëjë me të drejtën e qasjen në dokumente zyrtare[2].

E Drejta e Qasjes në Dokumente Publike, është e drejtë e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Në praktikën e shoqërive demokratike, çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes, dhe kjo përfshinë edhe të drejtën për të kërkuar dhe për të marrë informata. E drejta e qasjes në dokumente është thelbësore në arritjen dhe mbrojtjen e të drejtave të tjera, në sigurimin e demokracisë, si dhe në zhvillimin e vendit. Kjo është e drejtë e secilit, kjo eshte e rregulluar dhe e mbrojtur me konventa te shumta te te drejtave te njeriut. Më e rëndësishmja prej tyre konsiderohet Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, ku thuhet se: “Secili ka të drejtën e lirisë së shprehjes së mendimit; kjo e drejtë përfshin lirinë për të shprehur pikëpamjet e tij pa ndërhyrje dhe të kërkojë, marrë dhe japë informata dhe ide nëpërmes çfarëdo medie dhe pa marrë parasysh kufijtë”. Ndersa Neni 41 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës përcakton: “1. Secili përson gëzon të drejtën e qasjes ne dokumente publike” “2. Dokumentet që mbajnë institucionet publike dhe organet e pushtetit shtetëror, janë publike, me përjashtim të informacioneve që janë të kufizuara me ligj, për shkak të privatësisë, të sekreteve afariste ose të informacioneve të klasifikuara të sigurisë.”

Transparenca maksimale dhe mbrojtja e privatësisë mbetet parimi themelor i legjislacionit për qasje në dokumente publike, sipas standardeve ndërkombëtare. Neni 4 i këtij ligji siguron qasje në dokumente publike, sipas te cilit të gjitha informacionet që mbahen nga institucionet, duhet të jenë publike, dhe duhet të jenë të qasshme për të gjithë, dhe kjo e drejtë mund të kufizohet vetëm atëherë kur ndonjë informacion bën pjesë në grupin e informatave të përjashtuara me Ligj. Këto përjashtime parashihen shprehimisht në Nenin 12 dhe janë ato dokumente të cilat mund të refuzohen për qëllime të mbrojtjes së:

1.1. sigurisë kombëtare, mbrojtjes dhe marrëdhënieve ndërkombëtare;

1.2. sigurisë publike;

1.3. parandalimit, hulumtimit dhe ndjekjes së aktiviteteve penale;

1.4. hulumtimeve disiplinore;

1.5. inspektimit, kontrollimit dhe mbikëqyrjes nga institucionet publike;

1.6. privatësisë dhe interesave të tjerë legjitim privat;

1.7. interesave komerciale dhe të tjera ekonomike;

1.8. politikave ekonomike, monetare dhe këmbimore të shtetit;

1.9. barazisë së palëve në procedura gjyqësore dhe administrimin efikas të drejtësisë;

1.10. mjedisit, apo,

1.11. diskutimeve brenda apo ndërmjet institucioneve publike lidhur me shqyrtimin e ndonjë çështjeje

Neni 5 i këtij ligji obligon të gjitha institucionet publike të caktojnë njësinë apo zyrtarin të cilët janë përgjegjës për pranimin dhe shqyrtimin fillestar të kërkesave për qasje në dokumente. Bërja e kerkesës duhet te jetë e thjeshtë e shpejtë dhe e lirë, kërkesa për qasje në dokumente mund te refuzohet, mirëpo refuzimi duhet të arsyetohet[3]. Neni 7 i këtij ligji tregon se nëse institucioni perkatës nuk siguron dokumentet publike të kërkuara dhe ka njohuri për institucionin tjetër, menjëherë ose më së voni pesë (5) ditë pune, nga dita e pranimit të kërkesës me shkrim të kërkuesit, është i detyruar që kërkesën t’ia përcjellë organit gjegjës ose sektorit të tij, i cili e posedon, disponon ose e mbikëqyrë informatën. Në rast të refuzimit të plotë apo të pjesërishëm, kërkuesi mundet, brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh pas marrjes së përgjigjes nga institucioni publik, të parashtrojë kërkesën për rishqyrtim e çështjes, e cila duhet të shqyrtohet brenda shtatë (7) ditësh prej kohës së regjistrimit të kërkesës për rishqyrtimin e çështjes[4]. Mos përgjigja e institucionit publik ndaj kerkeses brenda afatit te caktuar konsiderohet si përgjigje negative dhe i jep të drejtë kërkuesit që të fillojë procedurën para Institucionit të Avokatit të Popullit, institucioneve të tjera publike, gjykatës kompetente, në përputhje me ligjin në fuqi[5].

Ky ligj ofron gjithshtu mundësinë e qasjes së drejtëpërdrejtë në dokumente publike në formë elektronike. Për më tepër ligji detyron institucionet publike që në formë elektronike përmes botimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës t’i publikojnë të gjitha dokumentet e publikueshme të cilat ato i hartojnë, konform Kushtetutës dhe Ligjit për Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Të gjitha institucionet përkatëse publike duhet të kenë një adresë e-mail në të cilën mund të adresohen qytetarët. Që të jetë sa më efikase ngarkohet një përson të menaxhojë rregullisht të dhënat e pranuara. I njëjti mund të jetë përgjegjës për rifreskimin, sigurimin e qasjes dhe kredibilitetin e informatave në ueb faqet e institucioneve publike. Neni 13 siguron mbrojtjen e të dhënave personale “Deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, institucionet mund të lëshojnë të dhëna të tilla vetëm në bazë të pëlqimit të mëparshëm dhe të qartë të personit në fjalë.” Për të siguruar transparencë të plotë secili institucion publik obligohet të hartoj raport vjetor për vitin paraprak, ku përfshihet, numri i rasteve në të cilat institucioni publik ka refuzuar qasjen në dokumente, si dhe arsyet e këtyre refuzimeve. Secili institucion publik, raportin vjetor për vitin paraprak, ia dërgon njësisë përkatëse të Qeverisë së Kosovës/Zyrës së Kryeministrit, më së largu deri në fund të muajit janar të vitit përkatës[6]. Shikimi i dokumenteve zyrtare në objektet e institucionit publik është pa pagesë. Një tarifë mund t’i ngarkohet kërkuesit për kopje të dokumentit, e cila është e arsyeshme dhe kjo rregullohet me akt nënligjor të nxjerrë nga ministria e financave dhe janë unike për të gjitha institucionet publike. Të gjitha këto duhet të publikohen. Institucioni publik i cili në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, i pamundëson, pengon ose kufizon realizimin e të drejtave në qasje në dokumente publike dhe informata, dënohet me gjobë prej pesëmijë (5.000) deri dhjetëmijë (10.000) Euro.

Organi kryesor: Ky ligj nuk parasheh një organ të vecantë por përcakton se të gjitha institucionet publike janë të obliguara të caktojnë njësinë apo zyrtarin të cilët janë përgjegjës 
për pranimin dhe shqyrtimin fillestar të kërkesave për qasje në dokumente. Si pasojë e kësaj të gjitha kërkesat për qasje në dokumente i drejtohen njësisë apo zyrtarit për komunikim me qytetarë 
të institucionit përkatës. Institucioni publik obligohet që brenda shtatë ditëve, prej kohës së regjistrimit të kërkesës, të nxjerr 
vendim për lejimin e qasjes në dokumentin e kërkuar ose të japë përgjigje me shkrim për të arsyetuar 
refuzimin e plotë apo të pjesërishëm dhe informon kërkuesin për të drejtën që ai ka për parashtrimin e një 
kërkese për rishqyrtim.

Ndërkaq në rast të refuzimit të plotë apo të pjesërishëm, kërkuesi mundet, brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh 
pas marrjes së përgjigjes nga institucioni publik, të parashtrojë kërkesën për rishqyrtim e çështjes duke 
kërkuar nga institucioni që të rishqyrtojë vendimin.  Kërkesa për rishqyrtimin e çështjes duhet të shqyrtohet brenda shtatë (7) ditësh prej kohës së regjistrimit të kërkesës për rishqyrtimin e çështjes.

Refuzimi i kërkesës së kërkuesit, si dhe mos përgjigja e institucionit publik brenda afatit të caktuar 
konsiderohet si përgjigje negative dhe i jep të drejtë kërkuesit që të fillojë procedurën para Institucionit 
të Avokatit të Popullit, shkallës së dytë (varësisht nga cili institucion bëhet kërkesa) dhe Gjykatës Themelore.

Shkurtimisht:

  1. Ombudspersoni është shkalla e dytë që përcakton ankesat për refuzim të kërkesave për qasje në dokumente publike
  2. Nëse një qytetari i intereson marrja e një dokumenti i cili nuk bie nën përjashtimet e nenit 12 të Ligjit – mjafton të dërgojë kërkesën në institucionin përkatës (me telefon, email apo postë)
  3. Institucioni përkatës duhet përgjigjur brenda 7 ditësh në kërkesën fillestare
  4. Pas marrjes së vendimit përfundimtar të institucionit (në rast të refuzimit) apo heshtjes administrative, qytetari ka të drejtë të nis’ procedurën për konflikt administrative brenda 30 ditëve prej marrjes së vendimit – në Gjykatën Themelore.

[1]Neni 1, LQDP

[2] Neni 28, LQDP

[3] Neni 6, LQDP

[4] Neni 9, LQDP

[5] Neni 10, LQDP

[6] Neni 20, LQDP

Shkarko këtu Ligjin për qasje në dokumente publike