Çka është privatësia?

Sigurisht e keni dëgjuar shumë herë fjalën privatësi, ose edhe fjalitë “mos ma ceno privatësinë”, “kjo është diçka private”, “askush s’po e respekton privatësinë” e shumë fjali të tjera. Por çka është privatësia?

Privatësia është e drejtë themelore e njeriut dhe përfshin pronësinë e përhershme të një individi, që nënkupton të dhënat personale dhe jetën shpirtërore, materiale, intelektuale dhe kulturore. Kjo pronësi e përhershme apo kjo e drejtë njihet edhe si “sedër e individit” dhe në rast se shkelet merret si shkelje ose nëpërkëmbje e nderit.

Privatësia, thënë troç, nënkupton të drejtën për t’u lënë vetëm ose lirinë për mos t’u bezdisur nga të tjerët. Megjithatë, shumë njerëz kur dëgjojnë fjalën privatësi menjëherë mendojnë për çështje tjera, si p.sh. fjalëkalimet (password) në internet, hakerët (hacker), rrjetet sociale, etj.

Është e rëndësishme edhe të merret parasysh kultura për të cilën flasim kur e trajtojmë çështjen e privatësisë. Ajo çfarë konsiderohet private në kulturën shqiptare mund të mos jetë private në një kulturë tjetër. Në Kosovë, për shembull, të gjithë (madje ndonjëherë edhe të panjohurit ose personat më të largët) pyesin për peshën, moshën, të ardhurat, statusin martesor të një individi. Por këto pyetje janë plotësisht të papranueshme në kulturën amerikane.

Privatësia në jetën e përditshme kundrejt privatësisë digjitale

Para se teknologjia të zhvillohej në këtë nivel që është sot, kur pothuajse secili person ka një telefon të mençur (smart phone), ka qenë më e lehtë të ruhet privatësia sepse ajo ka qenë kryesisht fizike. Në kohët e sotme, privatësia ka marrë kuptim tjetër, më të gjerë, dhe është më vështirë të mbrohet. Të rrethuar nga digjitalizimi i shumë gjërave (letrat tani janë postë elektronike -e-mail; fotografitë tani ruhen online ose në USB, etj.), është bërë shumë më e vështirë që të shpëtojmë nga përparimet digjitale.

Si pasojë, njerëzit, me apo pa vetëdije për cenimin e privatësisë, japin të dhënat e tyre personale, ndajnë emocionet e tyre, shqetësimet, problemet, festat, dhe shpresat e tyre nëpër rrjetet sociale. Këto informata mund të përdoren lehtësisht nga të tjerët si mjete manipulimi, si mundësi për thashetheme, ose mund të shkojë edhe aq larg sa të tjerët krijojnë një përshtypje për personalitetin dhe karakterin e dikujt varësisht nga postimet në botën digjitale. Herën tjetër, konsideroni të mendoheni para se të ndani të dhëna me të tjerët.

Privatësi apo sekret?

Shpeshherë njerëzit e ngatërrojnë atë që është private me atë sekrete. Private është çdo gjë të cilën një individ dëshiron ta mbajë për vete, vullnetarisht, përderisa sekreti është diçka që një individ dëshiron ta mbajë të fshehtë nga të tjerët, diçka që është i detyruar ta mbajë fshehtë.

Për shembull, nëse individi flet me mjekun, ajo çfarë flasin duhet të mbetet mes tyre – kjo bisedë nuk është sekrete, por është private. Nëse individi del në drekë me dikë dhe nuk i tregon kolegëve të punës kur e pyesin me kë ishe – nuk është drekë sekrete, por është private. Nëse individi nuk iu tregon sa të ardhura personale merr në muaj – nuk është çështje sekrete, por është private.

Në anën tjetër, sekret është nëse individi ka turp të tregojë, ose i frikësohet pasojave për të. Kjo nuk duhet medoemos të jetë e kundërligjshme.