Projekti i financuar nga BE ndihmon kosovarët të testojnë ekpozimin e tyre në internet

  • by

Organizuar nga dy OJQ Kosovare, LENS nga Prishtina dhe KCIC nga Gjilani, qytetarëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile sot u janë prezantuar mundësit për të shikuar se sa janë të ekspozuar në internet. Aktiviteti i quajtur “Sa di interneti për ty” ka mbledhur në Gjilan ekspertët e Teknologjisë Informative të cilët kanë ndihmuar individët e interesuar të shikojnë nivelin e informatave te tyre personale që janë në dispozicion në internet.

Rritja e përdorimit të internetit, ku Kosova është afër vendeve më të zhvilluara, ka ngritur shqetësime rreth shkeljeve të privatësisë, sigurisë së të dhënave personale dhe kufizimeve në lirinë e fjalës, informacionit dhe mediave. Sidomos përdorimi i mediave sociale, ka bërë që një sasi e madhe e informatave personale papritur të jetë në dispozicion për audiencën e gjerë, pa shumë diskutime për rreziqet të cilat bartin dhe mundësitë për keqpërdorim.

Pjesëmarrësit e aktivitetit të sotëm patën rastin të mësojnë për të ashtuquajturën gjurmë digjitale, si të mbrojnë informatat e tyre personale dhe t’iu paraprijnë rreziqeve nga abuzimet. Banorët e Gjilanit dhe organizatat e shoqërisë civile nga rajoni më i gjerë e mirëpritën këtë përpjekje dhe ishin të kënaqur të mësojnë se janë duke u zhvilluar projekte të cilat adresojnë dëmtimet e ekspozimit gjithnjë e në rritje të informacioneve personale në internet.

Gjatë ditës u shpërndanë edhe fletushka ku shpjegohen keqkuptimet e zakonshme në lidhje me anonimitetin në internet gjatë kërkimeve, sasinë e informacionit që ruhet nga shfletuesit siç njihet ndryshe ‘histori’, si dhe rolin e saktë të ‘cookies’ që ruhen nga shumë faqe interneti. Theksi u vu edhe në praktikën e rrezikshme të përdorimit të emrit dhe/ose fjalëkalimit të njëjtë për qasje në disa faqe.

Ky aktivitet është pjesë e projektit “Mbrojtja e të drejtave të njeriut në epokën digjitale, projekt i financuar nga BE dhe i menaxhuar nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, si dhe i bashkë-financuar nga FES Prishtina. Të tjera aktivitete të këtij projekti përfshijnë një fushatë ndërgjegjësuese në çështjet e ndjeshme të përdorimit të internetit, përpunimit në masë të të dhënave, praktikat në sektorin privat, përpunimi i të dhënave të votuesve, dhe ndikimi i komunikimeve digjitale në lirinë e informacionit dhe medias. Projekti ka filluar në janar 2016 dhe do të kompletohet në gusht 2017.