Rreth projektit

Gusht 17, 2016

Projekti “Mbrojtja e të drejtave të njeriut në epokën digjitale”, implementohet nga Shoqata për Privatësi, Teknologji dhe Media LENS si bartës dhe OJQ Qendra Kosovare për Bashkëpunim Ndërkombëtarë/Kosovo Center for International Cooperation – QKBN/KCIC si bashkëzbatues. Projekti financohet nga BE dhe menaxhohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Zgjatë 20 muaj (janar 2016 – gusht 2017).

Qëllim i projektit është të adresoj cenimet e të drejtave të njeriut, lirive dhe demokracisë që janë shfaqur apo përkeqësuar në kohën e zhvillimit teknologjik në Kosovë. Projekti ka të bëjë me mbrojtjen e të dhënave personale, të drejtave të privatësisë, lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave.

Aktivitetet kyçe të projektit:

• Rrjeti jo-formal dhe takime me organizatat e shoqërisë civile

Themelimi i rrjetit jo-formal i organizatave të shoqërisë civile, ku do të trajtohen tema në fushën e ruajtjes së privatësisë, mbrojtjes së të dhënave personale, cenimeve të lirisë së shprehjes dhe disa lirive tjera në kohën e zhvillimit teknologjik.

• Ngritja e kapaciteteve të shoqërisë civile

Ngritja e kapaciteteve të organizatave dhe individëve në shoqëri civile se si të identifikojnë dhe adresojnë cenimet e të drejtave të njeriut në epokën digjitale.

• Konferencat në nivel vendi

Shoqëria civile, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe sektorit privat do të kenë rast të angazhohen në diskutime dhe të dëgjojnë prezantime mbi temën, duke hapur rrugën për bashkëpunim në të ardhmen.

• Konferenca ndërkombëtare

Një konferencë ndërkombëtare do të organizohet në vitin 2017 ku pjesëmarrësit do të dëgjojnë për të drejtat e privatësisë dhe nevojën për mbrojtën e tyre nga figura të njohura ndërkombëtare me përvojë në këtë lëmi.

• Hulumtime

Së paku katër hulumtime do të zhvillohen në kuadër të projektit:
a) Legjislacioni në fuqi dhe implementimi.
b) Qasja e sektorit privat ndaj privatësisë dhe mbrojtës së të dhënave personale.
c) Siguria e privatësisë së votës dhe shënimeve të votuesve.
d) Ndikimi i komunikimit digjital në lirinë e shprehjes dhe të mediave.

• Fushata informative

Me qëllim të informimit më të mirë të publikut, por edhe përfaqësuesve të institucioneve përkatëse, një fushatë e përqendruar në internet ka filluar në Gusht 2015 si pjesë kyçe e aktiviteteve të projektit. Informatat e hollësishme në lidhje me sektorët që i mbulon projekti, resurset dhe dokumentet më me rëndësi janë të publikuara ose të qasshme në ueb faqen www.digitalrightskosovo.com Për një qasje më dinamike, një faqe është hapur edhe ne Facebook si rrjeti social më të popullarizuar në botë dhe Kosovë. Faqja e hapur enkas për fushatë Digital Rights Kosovo është tashmë duke u përcjellë nga shumë shfrytëzues të këtij rrjeti social. Të gjitha lajmet dhe informatat e shkurtra në formë te videove ose info-grafikonëve do të publikohen aty. Publiku do të ketë mundësi te diskutojë, komentojë dhe të kontaktojë direkt realizuesit e projektit.
 

Rreth LENS:

LENS është një organizatë e pavarur, jo politike dhe jo fitimprurëse, me bazë në Prishtinë, Kosovë. Është themeluar më 20 Maj 2010 nga ekspert të fushës së komunikimit dhe teknologjisë informative, aktivist të të drejtave të njeriut dhe entuziast të shoqërisë së hapur. Ideja e themelimit të LENS-it vjen si rezultat i interesit të përbashkët në rritjen e përdorimit të teknologjisë duke shfrytëzuar mundësitë që ajo ofron duke ngritur njëkohësisht vetëdijen rreth dëmeve si pasojë e keqpërdorimit të saj.

#Fushëveprimi

Rritja e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve qeveritare, mbrojtja e të drejtave të privatësisë, promovimi i medieve të lira dhe profesionale, mundësimi i ushtrimit të të drejtave të individëve dhe komuniteteve nëpërmjet qasjes më të mirë në informacion, inkurajimi i autoriteteve qendrore dhe lokale që të adresojnë më mirë nevojat e komunitetit.

#Misioni

Misioni i LENS-it është që të kontribuoj në zhvillimin e demokracisë dhe rritjen e cilësisë së jetesës nëpërmjet shfrytëzimit të teknologjive moderne, inovacionit dhe qasjes më të mirë në informacion. LENS-i është i përkushtuar të përmirësoj qasjen në internet me kushte të përballueshme, të ndihmoj komunitetin në përdorimin e teknologjisë për zhvilluar dhe promovuar liritë dhe të drejtat e tij, të siguroj që politikat qeveritare të ndërlidhura me informacionin dhe komunikimin nuk janë kundërvepruese dhe t’u jap mundësi individëve, grupeve dhe organizatave që të përdorin teknologjinë informative dhe komunikuese për të ndërtuar komunitete të qëndrueshme.

Rreth KCIC:

QKBN/ KCIC, është themeluar në vitin 2001 kurse është regjistruar më 8 janar të vitit 2002 me numrin 51011813. Në fillim, misioni i organizatës ka qenë që të krijojë paqe të qëndrueshme në Kosovë, duke ndërlidhur të rinjtë e të gjitha komuniteteve të Kosovës në realizimin e projekteve të përbashkëta dhe në këtë mënyrë të tejkalojnë barrierat e krijuara nga e kaluara.

#Misioni

Nga viti 2004, KCIC ka transformuar misionin e saj. Kështu, nga kjo periudhë, misioni i organizatës është të rrit aktivizmin qytetar, forcojë ndjenjën e komunitetit dhe të promovojë qeverisje të përgjegjshme, llogaridhënëse e transparete, sikur edhe të mbështesë dhe zhvillojë iniciativat lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare për zhvillimin e resurseve humane në Kosovë, e në veçanti të rinisë Kosovare.

#Rinia, caku ynë!

Caku kyç i projekteve të organizatës është rinia e Kosovës, pavarësisht nga përkatësia nacionale, fetare, racore, etj,.

#Programet tona

Demokratizimi i shoqërisë duke monitoruar/ avokuar institucionet qeverisëse
• Edukimi joformal i qytetarëve, e në veçanti edukimi i të rinjve në fushën e krijimit të vendeve të reja të punës
• Fuqizimi i Shoqërisë Civile dhe rrjetëzimi me organizata të ngjashme me qëllim të realizimit të projekteve që targojnë misionin e organizatës
• Bashkëpunimi ndërkufitarë dhe ndërkombëtarë.

#Mbi 60 projekte të realizuara…

Deri më tani, KCIC ka realizuar një numër të madhe të projekteve (mbi 60), si lidere e tyre, por edhe si partnere e organizatave të tjera nga Kosova dhe organizatave ndërkombëtare dhe këto projekte, pothuajse në tërësi, janë financuar nga organizatat/ donatorët ndërkombëtarë, që veprojnë në Kosovë dhe jashtë saj.

Qendra Kosovare për Bashkëpunim Ndërkombëtarë (QKBN)/ Kosovo Center for International Cooperation (KCIC) vazhdon të jetë aktive duke realizuar projekte vetanake, apo si partnere e organizatave të tjera.